Filozofia e Përkthimit
Ka dy qasje kryesore në përkthimin e Biblës: përkthim fjalë për fjalë dhe përkthim mendim për mendim.
Përkthimi fjalë për fjalë ka në qendër besimin se kuptimi i tekstit jepet nëpërmjet fjalëve specifike që përdoren në tekst. Prandaj qasja e përkthimit fjalë për fjalë synon që të ruajë me besnikëri fjalët e përdorura në tekst, aq sa gjuha e lejon.
Përkthimi mendim për mendim ka në qendër besimin se kuptimi më i saktë i tekstit duke kaluar nga një gjuhë në tjetrën jepet nëpërmjet perifrazimit të tekstit duke patur si synim formulimin e tekstit në gjuhën e lexuesit dhe jo detyrimisht përkthimin e çdo fjale siç përdoret në tekstin burimor. Pavarësisht dëshirës për ta përcjellë sa më të qartë përkthimin në gjuhën e lexuesit, përkthimi i perifrazuar është subjektiv dhe interpretim vetjak. Në Bibël thuhet qartë që Shkrimi i Shenjtë nuk është për interpretim vetjak (2 Pjetrit 1:21). Kjo mënyrë hap udhë për tjetërsim të kuptimit të vargjeve biblike dhe injektim të mendimeve dhe besimeve personale të përkthyesit në tekstin biblik.
Problemi i dytë me këtë qasje është humbja e vijimësisë dhe lidhjes së fjalëve specifike që Zoti përdor në Bibël për krahasim me njëra-tjetrën. Sipas vetë Biblës, mënyra e vetme për ta kuptuar Biblën saktësisht dhe pa interpretim vetjak, është duke krahasur fjalët dhe vargjet me njëra-tjetrën (1 Korintasve 2:13). Për shkak të perifrazimit subjektiv nga ana e përkthyesit në qasjen e përkthimit mendim për mendim, kjo lidhje e fjalëve dhe shprehjeve humbet nga një pasazh në tjetrin dhe e bën shumë të vështirë krahasimin e vargjeve dhe lidhjen e tyre me njëra-tjetrën. Kjo i hap udhë interpretimit alegorik dhe vetjak dhe humbet mënyrën biblike të studimit të Biblës.
Shumica e Biblave në shqip përdorin përkthimin fjalë për fjalë, por jo të gjitha. Për shembull, njëra prej tyre që përdor përkthim të perifrazuar e përkthen kështu vargun më poshtë:
1 Mbretërve 10:14 (AL1) Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë,
Ndërkohë vargu lexon kështu:
1 Mbretërve 10:14 (KRIST2) Tani, pesha e arit që i vinte Solomonit në një vit, ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
Duke krahasuar këto vargje vihet re që numri 666 nuk gjendet në përkthimin e perifrazuar. Padyshim që përkthyesit janë munduar për ta sjellë vargun në një njësi matëse që lexuesi i sotëm e kupton dhe e përdor, pra “ton” dhe jo “talenta”, që ishte njësia matëse e kohës, jo aq shumë e njohur për lexuesin e sotëm. Por pavarësisht qëllimit të mirë të përkthyesit, vargu ka një kontekst historik i cili duhet ruajtur siç është dhe së dyti vargu eliminon numrin 666 i cili është një numër shumë i rëndësishëm në Bibël për të cilin Zoti thotë t’i kushtohet rëndësi (Zbulesa 13:18).
Bibla “Kristoforidhi i Dytë” si shumica e përkthimeve në shqip përdor metodën fjalë për fjalë të përkthimit, por në dallim me të gjitha përkthimet e tjera kjo Bibël përdor metodën e përkthimit të të gjitha fjalëve në Bibël përpara përkthimit të qoftë edhe një vargu të vetëm.
Kjo punë intensive përfshin studimin e çdo fjale të tekstit burimor përpara se të përkthehen vargjet me qëllimin e ruajtes të vijimësisë të fjalëve të veçanta që Perëndia përdor për të krijuar lidhjet për krahasim të fjalëve dhe vargjeve me njëra-tjetrën. Për Biblën “Kristoforidhi i Dytë” ky process zgjati rreth 30 muaj, një studim intensiv i çdo fjale, krijimi i pemëve të fjalëve sinonimike për të shmangur përkthim të njëjtë të fjalëve të ngjashme dhe ruajten e nuancave të fjalëve sinonimike të ngjashme në kuptim me njëra-tjetrën, por prapë me rëndësi për kuptimin e tyre të veçantë. Kjo qasje sjell qartësi më të lartë të tekstit biblik dhe besnikëri që garanton vijimësi në studim në krahasimin e vargjeve.