Çfarë është Bibla "Kristoforidhi i Dytë"?
Bibla është Libri i librave. Ajo përbëhet nga 66 libra, të ndarë në dy pjesë: Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri. Autori i saj është Perëndia Fryma i Shenjtë, i cili ka përdorur gjatë historisë së njerëzimit autorë të ndryshëm njerëzorë, nga periudha e prejardhje të ndryshme. Këta autorë njerëzorë, të njohur me titullin profetë, së pari e folën dhe mandej e shkruan Fjalën e Tij të shenjtë. “Se profecia nuk erdhi në kohë të lashtë me anë të vullnetit të njeriut; por njerëzit e shenjtë të Perëndisë folën, siç u shtynë nga Fryma i Shenjtë.” – (2 Pjetrit 1:21).
Perëndia ka folur dhe komunikuar me njeriun qysh nga dita që e krijoi atë, dhe Bibla është shkruar si dëshmi e shenjtërisë, madhështisë dhe gjykimit drejtësibërës të Perëndisë, por edhe si dëshmi e dashurisë dhe vullnetit të tij të mirë ndaj krijimit të tij. “I gjithë shkrimi është dhënë me anë të frymëzimit të Perëndisë, dhe është i dobishëm për doktrinë, për qortim, për korrigjim, për udhëzim në drejtësibërje; që njeriu i Perëndisë të jetë i përsosur, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” – (2 Timoteut 3:16-17) Bibla është shkruar që njeriu të mund ta njohë Krijuesin e tij dhe të hyjë në një marrëdhënie personale me të, nëpërmjet njohjes së Zotit Jezus Krisht, i cili është Shpëtimtari, Fjala e Gjallë, dhe Perëndia i ardhur në mish. “Beso në Zotin Jezus Krisht, dhe ti ke për t'u shpëtuar, dhe shtëpia jote.” – (Veprat 16:31). “Sepse kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet.” – (Romakëve 10:13).
Autoriteti, shenjtëria dhe saktësia e Biblës janë të besueshme, sepse Perëndia i përsosur e i plotfuqishëm ka premtuar që ta ruajë e ta mirëmbajë Fjalën e Tij për të gjitha gjeneratat. “Fjalët e ZOTIT janë fjalë të kulluara, si argjend i sprovuar në furrë dheu, i kulluar shtatë herë. Ti do t'i ruash ato, o ZOT, ti do t'i mirëmbash ato, nga kjo gjeneratë e përjetë.” – (Psalmi 12:6-7). Perëndia premton: “Qielli dhe dheu do të kalojnë, por fjalët e mia nuk kanë për të kaluar.” – (Mateu 24:35)
Bibla është një libër që i drejtohet individit, kombeve dhe botës. Gjatë historisë së njerëzimit Zoti ka dhënë dëshmi për këtë, duke e mundësuar përkthimin e Fjalës dhe të fjalëve të Tij në shumë gjuhë amtare në botë, me qëllim që individi, kombet dhe bota mbarë të kenë dritë, bekim dhe shpëtim. “...me anë të shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të të përjetshmit Perëndi, i bërë i njohur për të gjitha kombet për bindjen e besimit” – (Romakëve 15:26).
Midis viteve 1860-1884, Kostandin Nelko (1827-1895), i njohur me emrin Kostandin Kristoforidhi, ndërmori përkthimin në gjuhën shqipe të teksteve biblike, i mbështetur nga Shoqëria Biblike e Londrës. Ai e adoptoi për veten e tij këtë mbiemër të ri, “Kristoforidh”, që do të thotë “mbartës i Krishtit”, si tregues jo vetëm i identitetit të tij si ndjekës i Krishtit, por edhe i misionit të tij për ta sjellë Fjalën e Zotit dhe fjalët e Tij në gjuhën shqipe. Duke patur të njëjtën linjë dorëshkrimesh, qasje dhe mision me Kristoforidhin e parë, ky përkthim mban emrin Kristoforidhi i Dytë (2026), si një kujtesë e hirit dhe dashamirësisë së Perëndisë ndaj kombit tonë për të na dhënë fjalët e tij në gjuhën tonë, por edhe si një paralajmërim: “ Mos e zhvendos gurin e lashtë të sinorit, të cilin e vunë etërit e tu.” - (Fjalët e Urta 22:28). Bibla "Kristoforidhi i Dytë" njihet me emërtimin KRIST2.
Përfundimi i këtij përkthimi është njëkohësisht një përgjigje e lutjeve të shumë prej besimtarëve të orëve të para pas rënies së komunizmit, që i kërkuan Perëndisë të na jepte fjalët e Tij të plota dhe të sakta në gjuhën tonë. Kjo lutje u plotësua fillimisht dhe pjesërisht me botimin e Biblës ABS në vitin 1994; dhe tani, pas 35 vjetësh studim, mësim dhe predikim të Fjalës së Tij, në konsultim me pastorë shqiptarë dhe të huaj, Bibla vjen sot në këtë botim për lavdinë e Perëndisë.
Bibla që po ju paraqesim është e linjës së dorëshkrimeve TEXTUS RECEPTUS; linja e tekstit me origjinë nga Antiokia e Sirisë, që është teksti i përkthimeve të Biblave në gjuhët amtare gjatë Reformacionit, si Bibla e Luterit (1534) në gjuhën gjermane, Bibla e Gjenevës (1560), Bibla e Diodatit (1607) në gjuhën italiane, Bibla Reina-Valera (1602) në gjuhën spanjolle, Bibla Statenvertaling (1630) në gjuhën hollandeze, dhe më e njohura prej tyre, me përhapjen dhe përdorimin më të gjerë, Bibla King James (1611) në gjuhën angleze. Kjo është e njëjta linjë e përkthimit të Dhiatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi në vitin 1866, si dhe e Biblës së parë të plotë të kësaj linje në gjuhën shqipe, Bibla e rizgjimit frymëror të Shqipërisë pas diktaturës, ABS (1994). E gjithë Bibla është përkthyer fjalë për fjalë nga kjo linjë e dhënë me anë të frymëzimit të Perëndisë (2 Timoteut 3:16), sipas tekstit të biblës në gjuhën angleze KING JAMES (1611), duke e kontrolluar, krahasuar dhe e ruajtur çdo fjalë të gjuhëve origjinale, hebraisht dhe greqisht, sipas indeksit të fjalëve dhe leksikëve të këtyre gjuhëve, të përpiluara nga James Strong (1890). Ky përkthim është krahasuar hap pas hapi edhe me Dhiatën e Re të Kristoforidhit (1879) dhe pesë librat e tij nga Dhiata e Vjetër, me përkthimin e Diodatit në gjuhën italiane, të Reina-Valerës në gjuhën spanjolle, si dhe me përkthimin ABS (1994).
Emri i Perëndisë, natyra e tij hyjnore, atributet e tij, janë përkthyer duke i qëndruar besnik doktrinës biblike të vetë Shkrimit të Shenjtë, duke i thyer në disa raste rregullat e gjuhës shqipe që bien ndesh me të. Në Testamentin e Vjetër, emri i shenjtë i Perëndisë në hebraisht është përkthyer me fjalën ZOTI. Në rastet e fjalëve Perëndi, Frymë, bishë, të cilat janë fjalë të gjinisë femërore në gjuhën shqipe, por që në Bibël përkojnë me persona me atribute mashkullore, përemrat dhe mbiemrat përkatës ndjekin rregullin gramatikor të gjinisë mashkullore.
Emrat e përveçëm biblikë janë transkriptime fonetike nga gjuhët origjinale, duke i ruajtur qëllimisht variacionet e emrave që i referohen të njëjtit person ose vend, si në Testamentin e Vjetër, edhe në Testamentin e Ri. Emrat e përveçëm, të cilët në hebraisht përmbajnë forma të emrit të Perëndisë, sidomos formën e shkurtuar të emrit të shenjtë të Perëndisë JAH, janë përkthyer fonetikisht duke e ruajtur këtë pjesë të emrit. Nëntitujt e librave, kapitujve dhe psalmeve, nuk gjenden në tekstin parësor, por janë shtuar për të ndihmuar në të kuptuarit e subjektit, kontekstit, ose përmbajtjes së pasazhit në fjalë.
Në këtë përkthim, sikurse në përkthimet e përmendura më sipër dhe ato të Kristoforidhit, nuk përdoren qëllimisht thonjëzat, (të cilat vihen zakonisht në shkrim në fillim dhe në fund të atyre fjalëve që përsëriten pikë për pikë ashtu siç janë thënë prej folësit të parë), meqenëse nuk përcaktohet qartë kur bëhet fjalë për ligjëratë të drejtë, citim apo referim. Fjalët e paraqitura me të pjerrëta në këtë përkthim përfaqësojnë fjalë që nuk gjenden në tekstin burimor, pa të cilat fjalia në shqip nuk do të kishte strukturë të saktë gramatikore. Ky përkthim është i pari dhe i vetmi në gjuhën shqipe, që në metodologjinë e përkthimit ka studimin paraprak të çdo fjale, për të gjitha fjalët që përmenden në Bibël, përpara përkthimit të qoftë edhe një vargu të vetëm. Kjo qasje bazohet në besimin se çdo fjalë e Perëndisë është e kulluar (Fjalët e Urta 30:6), “si argjend i sprovuar në furrë dheu, i kulluar shtatë herë” (Psalmi 12:6), dhe se “Fjala e Perëndisë nuk është për interpretim vetjak” (2 Pjetrit 1:19). Bibla është fjalor i vetvetes; përkufizimi i fjalëve është sipas kuptimit që Zoti u jep atyre në përdorim. Përkufizimi biblik i secilës fjalë përcaktohet sipas parimit biblik të krahasimit të vargjeve me njëra-tjetrën. Ky proces intensiv 30-mujor i studimit të çdo fjale përpara përkthimit, kishte për synim ruajtjen e pastërtisë së fjalëve, sipas përkufizimit dhe kuptimit që vetë Perëndia u jep atyre. Kjo qasje shmang interpretimet vetjake, dhe ruan nuancat e fjalëve sinonimike që kanë ngjyrime të ndryshme kuptimore sipas kontekstit në të cilin përdoren në Shkrimin e Shenjtë.
Bibla nuk është një libër fetar, por një libër i historisë së marrëdhënieve të Perëndisë me njerëzimin. E gjithë Bibla pëmban 66 libra të ndara në dy pjesë kryesore: "Testamenti i Vjetër" dhe "Testamenti i Ri". Testamenti i Vjetër pëmban 39 libra dhe Testamenti i Ri përmban 27 libra. Sipas Zotit Jezus Krisht, Testamenti i Vjetër ndahet në tri pjesë: Ligji, Profetët dhe Psalmet (Luka 24:44). Libra të tjerë historikë të njohur si "Apokrifa" nuk janë njohur nga besimtarët ungjillorë si autoritarë apo pjesë të Shkrimit të Shenjtë. As Zoti Jezus Krisht, as ndonjë prej profetëve apo apostujve, nuk citon asnjë pjesë prej këtyre librave.
Ashtu si paraardhësit tanë në besim në të gjitha epokat, si dhe paraardhësit tanë në besim në këto troje, lutja jonë është që Fjala e Shenjtë e Perëndisë dhe fjalët e Tij të kulluara të vijnë në gjuhën shqipe për shpëtimin e shpirtrave të kombit tonë dhe bekimin e tyre. Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Mbretit të Plotfuqishëm Jezus Krisht, i qoftë nderi dhe lavdia në jetë të jetëve. Amen.